Disa studentë të masterit të shkencave, të departamentit të punës dhe politikës sociale u përfshinë në mbledhjen e të dhënave të fazës parapërgatitore të një studimi. Ata kryen intervista me 11 të rinj të grup moshës 18 deri në 24 vjeç nga disa qytete të vendit. Tre nga të rinjtë e intervistuar kishin mbaruar studimet universitare dhe ishin ne marrëdhënie pune, jo në profesionin e tyre; pesë ishin duke ndjekur masterin e shkencave; dhe 3 të tjerët kishin mbaruar arsimin e mesëm, nga të cilët, njëri ishte kthyer nga emigracioni.
Shqetësimet e tyre kryesore në momentin e intervistës ishin të lidhura ngushtë me vështirësinë e gjetjes së punës dhe qëndrueshmërinë e saj, sidomos në profesionin përkatës; frika nga përballja me probleme shëndetësore dhe mundësitë e kufizuara për ti zgjidhur ato; nivelin e lartë të papunësisë, sidomos tek të rinjtë; mungesa e meritokracisë, shqetësimi se po rëndonin familjen me shpenzimet për studimet e tyre, si dhe përfshirja e politikës në çdo fushë të jetës, sidomos atë profesionale.
Vizionin e tyre, të rinjtë e lidhnin me karrierën profesionale, sigurimin e shëndetit, familjen, fëmijët dhe mundësinë për tu kujdesur për prindërit, një vend ku të zbatohet dhe respektohet ligji dhe standardet e jetesës.
Pritshmëritë për të ardhmen e Evropës lidheshin me mundësinë e Shqipërisë si anëtare e Bashkimit Evropian; vijueshmërinë e lëvizjes së lirë (pa viza); mundësinë e Shqipërisë për të arritur standardet evropiane; funksionimin më të mirë të shtetit, zbatimin e respektimin e ligjit; dhe mundësi për të kryer studimet në vendet e Bashkimit Evropian. Shumë pak prej të rinjve ishin pesimistë për e përfshirjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke menduar se duke qenë një vend i vogël dhe i varfër nuk do të kemi vëmendjen e duhur dhe madje kjo mund të na sjelli më shumë probleme sesa përfitime.